Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, tash e një vit gati i kanë ftohur raportet mes vete.
Faruk Ajeti u emërua ambasador në Berlin në shtator të vitit 2021. Gjithçka dukej se po i shkonte mirë me pushtetin e ri.

Por, në vitin 2024, kohë kur u ftohën edhe raportet mes presidentes Vjosa Osmani dhe Gërvallës, do t’i prishej pak edhe atij komoditeti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e njohur për huqjet me flamujt e shteteve dhe për deklarata jo shumë diplomatike, si ajo kur e quajti Evropën “tigër prej letre”, nuk e vlerësoi shumë të kënaqshme performancën e Faruk Ajetit për vitin 2024.
“Ka nevojë për përmirësim”, do të shkruante ajo.
Vox Kosova mëson nga zyrtarë të MPJ-së se ky vlerësim vjen pasi Gërvalla e konsideron ambasadorin Ajeti si njeri të afërt me presidenten Vjosa Osmani.
Vlerësimi, i dhënë në prill të këtij viti, nuk i ka pëlqyer aspak ambasadorit, dhe ai gjeti një vend ku të shfryhej.

Një ankesë e nisi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Ai, sipas vendimit të këtij Këshilli, konsideron se “vlerësimi është tendencioz”.
Ajeti pretendon se nuk ka pasur asnjë takim gjatë dhe në fund të periudhës së vlerësimit dhe shton se ka dorëzuar në ministri raporte të detajuara të punës, të cilat nuk janë marrë parasysh.

“Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më datë 10.04.2025, ka bërë vlerësimin e rezultateve në punë për ankuesin për vitin 2024, me nivel të përgjithshëm të vlerësimit ‘Ka nevojë për përmirësim’, vlerësim të cilin ankuesi e kundërshton me ankesë në Këshill, me pretendimet se nuk është bërë plani i punës, nuk ka pasur asnjë takim gjatë periudhës vlerësuese si dhe në fund të vlerësimit; shton se ka dërguar plan të detajuar lidhur me punët e realizuara, mirëpo që nuk janë marrë për bazë nga vlerësuesja. Kështu që, sipas ankuesit, vlerësimi është tendencioz dhe nuk reflekton performancën e vërtetë të punës.” — thuhet në vendimin e Këshillit që mban datën 28 maj 2025.
Ambasadori ka kërkuar që të aprovohet ankesa e tij dhe të anulohet vlerësimi i rezultateve në punë.

Por, Këshilli ka konstatuar se nuk është kompetencë e tij të marrë vendim për pozita të tilla publike dhe ka këshilluar ambasadorin që t’i drejtohet Gjykatës Themelore.

Vox Kosova e ka pyetur ambasadorin Faruk Ajeti se pse e konsideron si tendencioz vlerësimin. Për disa ditë nuk është përgjigjur. Ka kërkuar që pyetjet për të, te dërgohen paraprakisht në MPJ.
As Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka kthyer përgjigje lidhur me vlerësimin e dhënë dhe pretendimet e ambasadorit se kjo është bërë me tendencë.
Faruk Ajeti ka shërbyer më herët si Sekretar i Parë në Ambasadën e Kosovës në Austri, dhe para kësaj, si Zyrtar i Lartë për Media dhe Mirëmbajtje të uebfaqes në MPJD.









