Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk dha shenja publike dje se është i interesuar për zgjedhje të reja nacionale.
Ai foli në të përgjithshmen, duke thënë se gjatë kësaj jave do të punojë për formimin e qeverisë së re, tash kur ka marrë mandatimin nga presidentja. Kurti ka afat deri më 26 tetor.
“Këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme të rezultateve zgjedhore, por shumë shpejt, qysh këtë javë, do të fillojmë komunikimin dhe bisedat edhe për qeverinë qendrore,” ka deklaruar Kurti.
Megjithatë, njerëz përreth tij kanë nisur të flasin për një opsion tjetër: zgjedhjet nacionale.
Mimoza Kusari-Lila, që ka qenë shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në legjislaturën e kaluar, foli sot për opsionin që, sipas saj, është më i miri – zgjedhjet e reja.
“Unë mund të flas në emër të Alternativës. Unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja, sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime që kërkojnë rikonfirmim të besimit të qytetarëve. Por natyrisht, për zgjedhje gjithmonë jemi gati,” tha për Indeksonline Mimoza Kusari-Lila.
Edhe nga opozita është shprehur një lloj pritjeje se vendi po shkon drejt zgjedhjeve nacionale.
Ditën e zgjedhjeve lokale, pasi doli nga qendra e votimit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se pret që qytetarët të votojnë sërish në dhjetor – por këtë herë për zgjedhje nacionale.
“Unë besoj që do të votojmë me datën 9 nëntor në raundin e dytë, edhe këtu në Prishtinë dhe në shumë komuna tjera të Kosovës, ndërsa po ashtu besoj dhe shpresoj që do të votojmë jo më larg se në dhjetor edhe për zgjedhjet parlamentare,” tha ai.
Zyrtarë të kësaj partie edhe më herët kishin përmendur se opsioni më i mirë, për dalje nga kjo bllokadë politike e institucionale, janë zgjedhjet e reja.
Në fakt, nëse me 26 tetor, Kurti dështon ta bëjë Qeverinë – pritjet janë që partitë tjera të mos tentojnë fare – pasi nuk kanë shprehur gatishmëri. Në këtë frymë, duke ndjekur afatet ligjore, do të nënkuptonte se mund të kemi zgjedhje në pjesën e parë të dhjetorit.
Kosova, që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, është me qeveri në detyrë.
Kuvendi i Kosovës u konstituua vetëm para disa ditësh, me zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Por edhe ajo u kontestua nga Lista Serbe, që nuk e propozoi dhe as nuk votoi për Nenad Rashiqin.
Pro Rashiqit votuan Vetëvendosje, minoritetet tjera jo-shumicë dhe deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nga Vetëvendosje, që para zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, thoshin se kishin votat – jo për kryetar, por për qeveri.
Tash, kur Kuvendi është konstituuar, ende nuk ka asgjë konkrete nëse votat janë.
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, konfirmoi para disa ditësh se do të fillojnë komunikimet me deputetë, por përjashtoi nga opsioni i koalicioneve PDK-në dhe Listën Serbe.









