Partia Demokratike e Kosovës nuk votoi pro propozimit për Dimal Bashës. Kjo ndodhi përkundër deklarimeve të këtij subjekti politik se do të votonin një kandidat që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.
Kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha se kishin kërkuar konsultime paraprake përpara se të votohej për këtë kandidat.
“Sot u tentua të vihet në provë ajo që kemi thënë – se do ta votojmë dikë që s’ka qenë ministër – por në momentin kur u vendos pa konsultim, Abelard Tahiri kërkoi një pauzë 10-minutëshe nga kryesuesi i seancës, në mënyrë që të koordinoheshim për votimin, para se të merrej një vendim. Edhe përmes zëvendëskryesueses së seancës, Sala Jashari, u përpoqëm të siguronim mirëkuptimin dhe miratimin për këtë kërkesë, por ai e shpërfilli plotësisht – ndonëse kjo do të kishte qenë një mundësi e mirë për ta votuar kryetarin e Kuvendit, edhe po të ishte Dimal Basha,” tha ai.
Në seancën e sotme u propozuan gjithashtu edhe Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci, por as ata nuk morën votat e mjaftueshme.
Kuvendi do të mblidhet sërish të martën, me të njëjtën agjendë: zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.









