Në diasporë, KQZ ua ka mundësuar mërgatës që të votojnë edhe me dokumente të skaduara. Këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka bërë të ditur përmes një njoftimi publik. Kjo vlen për procesin në përfaqësitë diplomatike.

“Lejohet votimi me dokumente të skaduara të Republikës së Kosovës për votuesit e regjistruar për votim. Në përfaqësitë diplomatike. Më 27 dhjetor 2025”, njoftoi KQZ.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjithashtu kishte vendosur të hapë qendra votimi edhe jashtë përfaqësive diplomatike, me qëllim të lehtësojë votimin për qytetarët jashtë vendit. Ky vendim u kundërshtua nga disa parti politike, të cilat dorëzuan ankesa te Paneli i Ankesave dhe Parashtresave të Zgjedhjeve (PZAP), duke argumentuar se hapja e qendrave jashtë ambasadave dhe konsullatave është në kundërshtim me ligjin zgjedhor.

Pas shqyrtimit, PZAP rrëzoi vendimin e KQZ-së, duke vendosur se votimi jashtë vendit mund të bëhet vetëm nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Apeli i Vetëvendosjes te Gjykata Supreme u refuzua, duke konfirmuar vendimin e PZAP-it.

Kështu, diaspora do të mund të votojë vetëm në ambasada dhe konsullata, ose përmes votimit me postë, sipas ligjit.