“Të arrijë që të kalojë nga një banesë nga 53-54 metra në të ardhmen në një shtëpi të vogël, sepse janë shpifje të rënda këto jo 400 mijë jo 500 mijë”, thoshte Vjosa Osmani më 12 shkurt 2021.
Kjo shtëpi luksoze që Vjosa Osmani e bleu në lagjen e pasanikëve, Marigona Hill, të cilën ish-Presidentja, po e quan të vogël, në fakt veç e vogël nuk është.
Dhe jo, shpifje nuk është as fakti se vlera e saj aktualisht shkon në mbi 500 mijë euro.
Ish-Kryetarja e shtetit, këtë pallat me plotë 244 metra katror, të tipit anglez, me 3 dhoma gjumi, kuzhinë profesionale e kopsht privat, në deklarimin e saj të pasurisë, e vlerësoi veç 208 mijë euro.
Por, vëmendje këtu: Në komunikimet që VOX Kosova pati me një agjente të Marigona Hill, merret vesh se metri katror i shtëpive aktualisht, aty shkon mbi 2 mijë e 100 euro.
Rrjedhimisht, një shtëpi 303 metër katror, në përfundim e sipër, sipas Marigona Hill, ka vlerë plot 650 mijë euro, apo 2 mijë e 145 euro për metër katror.
Në një shumëzim të çmimit aktual për një metër katror me hapësirën që ka shtëpia e blerë e Osmanit, del se vlera reale në treg e saj është mbi 523 mijë euro, dhe jo 208 mijë sa e deklaron ish-Presidentja.
Edhe pse, në disa agjencione patundshmërie, një tip i njëjtë shtëpie si ajo e Vjosa Osmanit, kushton hiç më pak se 680 mijë euro.
Pra, si u bë që Vjosa Osmanit një shtëpi luksi e një vlere të tillë t’i kushtojë kaq pak?
Apo në rastin tjetër, nëse në vitin kur ajo i kushtoi aq sa ajo e ka deklaruar, pse tani e fsheh vlerën reale të saj?
“Presidentja një shtëpi 200 mijë euro. Këtu banesat po kushtojshin 300 e tutje. S’e kuptova këtë diskrepancë, qata deshta me të pyet”, pyetet asgjentja e Marigona Hill.
“Diskrepanca është që na i kemi çmimet reale. Çka ke pa në media, në lajme nuk e di unë. Çmimet që i ke marrë për banesa, janë ato çmime që i prezantojmë ne edhe që i shesim ato çmime në Marigona Hill”, tha agjentja e Marigona Hill.
Vjosa Osmani nuk është e vetmja në këtë mashtrim të opinionit publik për vlerën e pronave në Marigona Hill.
Shiheni bashkudhëtarin e ri të saj politik, Lumir Abdixhikun.
Në regjistrin e vitit 2024, një banesë të blerë në Marigona Hill me hapësirë hiç më pak se 174 metra katror, e deklaronte në vlerë 260 mijë euro.
Në katalogët që VOX Kosovës ia dërgoi vetë “Marigona Hill”, del se metri katror i banesave aty është shumë më i shtrenjtë.
Për shembull, një banesë 131 metër katror që ndërtohet tek në vitin 2027, ka vlerë 330 mijë euro. Pra, 2 mijë e 519 euro metri katror për një banesë ende të papërfunduar.
Po ta përllogarisim banesën e blerë të Abdixhikut në vlerë tregu, në çmime të paracaktuara nga Marigona Hill, vlera do të dilte diku te 438 mijë euro – afërisht 180 mijë euro më shumë se që e ka deklaruar Abdixhiku.
Njëjtë veproi edhe ish-Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Një banesë të blerë në Marigona Hill në vitin 2020, Aliu, e deklaron në vlerë të 103 mijë eurove, kur vlera në tregun aktual lirisht shkon në mbi 350 mijë euro.
E kështu ndodh edhe te shumica e politikanëve tjerë, në pozitë e opozitë.
Pra, si është e mundur, në një kryeqytet ku numri i banesave u rrit katër herë më shpejt se popullsia, politikanët të marrin prona në çmime premi, e qytetarët të mos jenë në gjendje as t’i përballojnë çmimet e qirave aty?
Është e mundur sepse politikanët merren vesh me biznesmenët. Dhe marrja vesh është në dy forma: Ose pjesa tjetër e parave jepet kesh, pra para të vjedhura dhe biznesmeni pranon t’ua shes zyrtarisht me çmime më të lira.
Ose, këta arrin t’i marrin këto çmime, sepse u shërbejnë më pas këtyre biznesmneëve për nevoja të tyre.
Në secilin rast, është krim i dënueshëm me ligj.
Fatkeqësisht, Prokuroria nuk po vepron, përkundër se gjithçka bëhet hapur dhe qartësisht.








