Sot (e premte), duke filluar nga ora 10:00, do të nis numërimi i votave nga diaspora për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Këtë e ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai njoftoi se sot nis numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare – në Berlin dhe Bernë – që i takojnë votimit me postë.

“Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dimë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës”, tha Elezi të enjten, duke treguar se tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026.

Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kanë pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit, Elezi tha se janë aprovuar 27 mijë e 600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950.

Arsyeja më e shprehur te zarfet e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit, tregoi ai.

Sa i përket votimit në përfaqësi diplomatike, Elezi bëri me dije se nga 19 mijë e 187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16 mijë e 165 prej tyre, apo 84.24 për qind.

Pa votat e diasporës dhe ato me kusht, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 49 për qind.