Derisa Kosovës iu pezullua Dialogu Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shtator të vitit 2025, Serbia këtë javë do ta nisë zyrtarisht këtë mekanizëm bashkëpunimi me Uashingtonin.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se raundi i parë i Dialogut Strategjik SHBA–Serbi do të mbahet të premten, duke e cilësuar këtë si një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ajo që do të ndodhë të premten është vërtet një moment historik diplomatik, madje edhe politik, në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, tha Gjuriq.

Ai shtoi se nisja e Dialogut Strategjik është rezultat i punës shumëvjeçare diplomatike të Serbisë.

“Kjo është diçka për të cilën kemi punuar prej shumë vitesh dhe që, nga këndvështrimi profesional, përbën një nga arritjet më të rëndësishme për të gjithë diplomatët tanë që kanë qenë të angazhuar për realizimin e saj”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara pezulluan për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën në mesin e shtatorit 2025.

Në njoftimin e atëhershëm, Ambasada amerikane në Prishtinë deklaroi se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar aftësinë e SHBA-së për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.

“Veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhej në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Kështu, ndërsa dialogu strategjik me Kosovën mbetet i pezulluar, SHBA-ja po nis një mekanizëm të ri të bashkëpunimit strategjik me Serbinë.