“Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është aleancë e ngushtë edhe e cekët. Është aleancë për të kaluarën.”
Kështu deklaronte Albin Kurti si opozitar, ndërsa si kryeministër po e jetëson këtë qëndrim.
Njëzet e gjashtë vjet më parë, SHBA-ja bombardoi Serbinë për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë. Tash po e nis Dialogun Strategjik me Serbinë, ndërsa me Kosovën – shtetin për mbrojtjen e të cilit ndërhyri ushtarakisht – vazhdon ta mbajë të pezulluar.
SHBA-ja, në shtator të vitit 2025, njoftoi se do ta pezullonte Dialogun Strategjik me Kosovën, duke ia drejtuar gishtin Albin Kurtit.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve se veprimet e Qeverisë në detyrë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e SHBA-së për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta”, shkruante Ambasada Amerikane.
Kurti pati bërë një përpjekje të dështuar për të thënë se kjo nuk kishte ndodhur.
“Bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të Dialogut Strategjik si proces i nisur”, deklaronte Kurti.
Madje, kritikat për moskoordinimin me amerikanët, Kurti i tallte në deklarata publike, teksa injoronte të gjitha kërkesat e palës amerikane.
“Nuk mbahet aleanca me do gypa”, deklaronte Kurti, duke iu referuar kërkesës për gazin amerikan.
Tash, po njëjtë, gojën plot refuzim për ofertën amerikane për gazin.
Nuk e do atë dhe nuk ka ndërmend ta pranojë, pavarësisht insistimit të përsëritur amerikan.
Përderisa edhe në mundësitë e pakta që Kosova i ka për t’u afruar me Amerikën, në mënyrë krejt qesharake tregojnë se si po i refuzojnë ato.
VOX Kosova ka pyetur Qeverinë për përpjekjet për rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, pikërisht në ditën kur Serbia e nisi Dialogun Strategjik me SHBA-në, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se kushtet që Kosova të rikthehet në Dialogun Strategjik me SHBA-në kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura.








