Kaja Kallas, Shefe e Politikës së Jashtme në Bashkimin Evropian, ka thënë se është e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë së shpejti, teksa ka përshëndetur ‘lëshimin pe’ të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për masa lehtësuese ndaj banorëve serbë në Kosovë nga Ligji për të Huajt.
““Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë”, ka shkruar Kallas në postimin e saj në X.
Për Kallasin ky i sotmi është një progres që krijon momentum të ri për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e kjo e bën të gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë shumë shpejt.
“Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd-Prishtinë, dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar Kallas.
Më herët gjatë ditës, Aivo Orvan, Ambasador i BE-së në Kosovës njoftoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, ka pranuar që Ligji për të Huajt të zbatohet me “disa masa përmbajtjesore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”.
Ligji për të Huajt dhe ai për Automjete kishte nxitur reagime të komunitetit serb në Kosovë dhe përfaqësuesve politikë të Beogradit.
Kjo pasi këto ligje parashohin që personat që nuk kanë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi dhe automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në Kosovë më shumë se tre muaj ose me autorizim. Kjo gjë është problematike për qytetarët serbë, dokumentet e shtetit të të cilëve nuk i njeh Kosova.









