Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka njoftuar për një koordinim të ri me Shtetet e Bashkuara për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në një moment kur ky proces duket se ka marrë një shtysë të re pas vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës në raport me popullatën serbe dhe institucionet e tyre paralele në Kosovë.

Pas takimit me zyrtarin e lartë të Byrosë për Evropë dhe Euro-Azi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, Sorensen bëri të ditur se palët kanë shqyrtuar zhvillimet e fundit dhe janë dakorduar për vazhdim të koordinuar të procesit.

“Takim i shkëlqyer me Brendan Hanrahan në Departamentin e Shtetit. Diskutuam për dialogun, shqyrtuam arritjet e fundit dhe siguruam përputhje për hapat e ardhshëm”, ka deklaruar ai.

Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmori një kompromis në kuadër të Ligjit për të Huajt, duke ofruar lehtësira për qytetarët serbë në Kosovë, një hap që ka rikthyer dinamikën në dialogun politik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë përfshin leje qëndrimi dhe pune për 12 muaj si dhe njohjen e dokumenteve të strukturave paralele për qëllime identifikimi.