Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Takimi ka nënvizuar tema nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, perkatësisht respektimin maksimal të Marrëveshjes Bazike të Brukesli dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

“Në takim u adresuan edhe tema të tjera aktuale nga procesi i dialogut, duke potencuar rëndësinë e respektimit dhe mosshkeljes së Marrëveshjes Bazike të Brukselit e të Aneksit të Zbatimit të Ohrit”, thuhet në një njoftim të Qeverisë.

Në deklaratën për media Qeveria ka njoftuar po ashtu se një nga temat kyçe të diskutimit ka qenë kërkesa e Sorensen për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr.

Kurti i ka garantuar Sorensen se Kosova është e përkushtuar të ruajë karakterin multi-etnik të administratës shtetërore.

“Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, i ka thënë Kurti Sorensenit.