Procesi i dialogut me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian do të udhëhiqet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dikaster që udhëhiqet nga Glauk Konjufca.
Kështu kanë bërë të ditur nga MPJD-ja, pas takimit që Konjufca pati me të Dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
“Gjatë takimit, z. Konjufca e informoi z. Sorensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe “u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”.
“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.
Deri më tani, kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë ka qenë Besnik Bislimi.









