Policia e Kosovës ka njoftuar në raportin e saj 24-orësh se gjatë vikendit janë raportuar disa raste të dhunës në familje.
Në Prishtinë janë raportuar dy raste të dhunës në familje.
Në rastin e parë, një grua ka raportuar se është kanosur verbalisht nga një person, i cili ndodhet në kërkim policor. Ndërkaq, në rastin tjetër, po ashtu në Prishtinë, të dy palët janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Lipjan, një grua raportohet se është sulmuar nga një person pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar.
Në Viti është arrestuar një person, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy anëtarëve të familjes, një gruaje dhe një burri. Pas intervistimit, ai është dërguar për trajtim mjekësor nën mbikëqyrjen e policisë.
Në Klinë dhe në Pejë janë raportuar dy raste të tjera të dhunës në familje, ku viktimat femra kanë pranuar trajtim mjekësor. Të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në Klinë, viktimë e dhunës në familje ka qenë edhe një burrë. I dyshuari është arrestuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, të hënën do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës, si dhe për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Të shtunën, për dhunë në familje është arrestuar edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se Berisha është ndaluar për 48 orë.









