Policia e Kosovës ka njoftuar se janë raportuar disa raste të dhunës në familje të shtunën.

Në Podujevë një burrë dhe një grua janë shoqëruar në stacionin policor pas një mosmarrëveshje mes tyre. Ata e kanë refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë është arrestuar një person pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizikë dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Pejë janë shoqëruar në stacionin policor një burrë e grua pas një mosmarrëveshje mes tyre. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Në Klinë janë arrestuar dy persona pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një grua. Viktima thuhet se ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë janë raportuar dy raste të ndara të dhunës në familje.

Në rastin e parë është arrestuar një burrë, i cili theksohet se ka shqetësuar bashkëshorten e tij me të cilën nuk jetonte qe një kohë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër, dy persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike dhe fyerje ndaj njëri-tjetrit. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Edhe në Leposaviq është raportuar një rast i dhunës në familje. Një person është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë, është duke u protestuar që disa ditë kundër femicidit.

Protestat vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor. Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por shteti dështoi që ta mbrojë.

Në këtë drejtim, protestuesit po kërkojnë burgosjen e zyrtarëve përgjegjës në rastin e Arlindës dhe dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.