Për Përparim Ramën, Kryetar i Prishtinës, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, është “Qeveri e propagandës, e kontratave njëburimore dhe e tragjedive që mund të parandaloheshin”.
Këto komente, Rama i bëri përmes një postimi në Facebook, pas vetaksidentit tragjik që ndodhi të dielën në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku si pasojë humbi jetën një grua dhe një burrë u lëndua. Vetaksidenti, sipas raportimeve, ka ndodhur në një pjesë të autostradës ku ka rrëshqitur dheu.
Një ditë pas kësaj ngjarje tragjike, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, njoftoi se ka nënshkruar kontrata për sanimin e skarpateve në autoudhën “Ibrahim Rugova”, vlera e të cilave është 4 milionë e 673 mijë e 997 euro e 88 cent.
“Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu, që për vite u la aty pa u trajtuar, do t’u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro. Një tjetër ditë ku qytetarët paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet”, shkroi Rama.
Kryetari i kryeqyteti theksoi se për vite me radhë “nuk u largua dheu nga autostrada, por sot gjenden miliona euro për kontrata”. “Plot 4.67 milionë euro për heqjen e dheut, pasi problemi është zvarritur pafund”.
Kjo, sipas tij, “është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë”.
Rama theksoi se Kurti e ka gjetur Kosovën me autostrada të ndërtuara, por që nuk po mundet që t’i mirëmbajë.
“Albin Kurti vazhdon të flasë për shtetin që e ka gjetur ‘në bodrum me gjysmë metri ujë’. Shtetin e gjete me autostrada të ndërtuara, ndërsa sot nuk arrin as t’i mirëmbash”.
Arsyetimi i Kurtit, Rama thekson se është “për çdo dështim fajin e ka e kaluara, ndërsa për çdo propagandë meritat i merr vetë”.
“Kjo qeveri është kampione e fjalëve, e videove promocionale dhe e konferencave për media, por kur vjen puna te përgjegjësia, heshtja bëhet politika e saj zyrtare”.
Një pushtet që investon më shumë në propagandë sesa në zgjidhjen e problemeve reale, i pari i kryeqytetit thotë se “nuk përfaqëson ndryshimin që premtoi”.
“Ai përfaqëson arrogancën, paaftësinë dhe kulturën e justifikimeve të pafundme, ndërsa pasojat i paguajnë qytetarët me jetën e tyre dhe me taksat e tyre”, potencon Rama.









