Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka refuzuar të marrë përgjegjësi për gjendjen e tmerrshme të kampit të Policisë “Enver Zymberi”, të dokumentuara në kronikën e publikuar nga VOX Kosova.
Ministria nuk ka reaguar fare, derisa vetë Policia e Kosovës, ka dalur me një reagim publik të paqartë, ku nuk mohohen pamjet e publikuara, por thuhet se ka të tjera që janë në gjendje më të mirë.
“Kampi ‘Enver Zymeri’ plotëson kushtet e nevojshme për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve policore, përfshirë qëndrimin e zyrtarëve policorë në kamp, zhvillimin e aktiviteteve policore e trajnuese dhe atyre logjistike”, thuhet në reagimin e zbehtë të Policisë.
Më e keqja, demantimin e pretenduar të institucionit të Policisë së Kosovës, duke tentuar të mohojnë të vërtetën, nuk i kanë bashkangjitur asnjë imazh që do të tregonte të kundërtën e raportimit të VOX Kosova.
Pas raportimit të VOX-it, redaksisë iu janë përcjellur edhe imazhe e mesazhe të tjera ku tregojnë që gjendja në atë kamp është edhe më e tmerrshme sesa ajo që është parë deri në raportimin e së mërkurës.
Këto fakte, VOX Kosova do t’i publikojë së shpejti.
Policia e Kosovës, ndonëse pa u atakuar në asnjë pikë të raportimit thekson se “i kushton kujdes të vazhdueshëm mirëmbajtjes dhe krijimit të kushteve për punë dhe veprime policore, për të gjithë zyrtarët e saj”.
“Një kujdes të veçantë i kushton krijimit të kushteve dhe ambientit edhe për njësitet speciale operative të PK-së”, theksojnë ndër të tjera ata.









