Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, ka ngritur vazhdimisht shqetësime për shkeljen e të drejtave të njeriut në Gjykatën Speciale, por, sipas tij, institucionet asnjëherë nuk i kanë trajtuar me seriozitet.
“Përgjegjësia institucionale gjithmonë qëndron, sepse edhe raporti konstaton se kjo gjykatë është brenda kornizave të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe vepron brenda kornizës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe nuk ka asnjë reagim institucional, mund të them serioz e kredibil, prej vitit 2021, kur unë për herë të parë e kam ngritur si çështje. Raporti është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2022, më 31 mars 2022, ka kaluar pa u vërejtur, pa u diskutuar dhe pa u debatuar, edhe pse unë, edhe në prezantim të raportit, i kam paraqitur si një prej shqetësimeve të mia”, ka deklaruar Qelaj në konferencën për prezantimin e raportit të avokatëve britanikë nga organizata “Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Wales-it”.
Qelaj ka deklaruar të enjten se raporti i përgatitur nga organizata e mirënjohur britanike për proceset në Gjykatën Speciale do t’u dërgohet misioneve diplomatike.
Raporti, që përmban 90 faqe, evidenton një seri shqetësimesh serioze për shkelje në proces: duke nisur nga një pabarazi në trajtim – duke ia vështirësuar mbrojtjes punën; menaxhim joadekuat të provave nga Serbia – duke mos pasur transparencë në verifikimin e tyre – e të cilat ngrejnë dyshime për fabrikim e manipulim; si dhe gjyqtarë që, me pyetjet dhe qasjen e tyre, duken si prokurorë të dytë.








