Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka konfirmuar se një pjesëtar i saj ka pësuar lëndime të lehta gjatë një trajnimi me municion në njërin nga poligonet e saj.

Reagimi i FSK-së vjen pas raportimeve në media për vetëplagosjen e një ushtari gjatë një aktiviteti stërvitor.

Në njoftimin e saj, FSK-ja ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më herët, duke theksuar se gjatë trajnimeve me municion zbatohen masa parandaluese për menaxhimin e rrezikut.

“Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë realizimit të trajnimeve me municione ballafaqohet me rrezikshmëri të lartë dhe merr paraprakisht të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, duke përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit”, thuhet në reagim.

FSK-ja ka bërë të ditur se në aktivitetet e saj stërvitore angazhohen edhe ekipet mjekësore për evakuim të mundshëm, ndërsa ka pohuar se masat e sigurisë janë në përputhje me standardet e saj dhe ato të NATO-s.

Megjithatë, pavarësisht konfirmimit të rastit, FSK-ja nuk ka dhënë asnjë informacion për rrethanat dhe shkakun konkret të lëndimit. Po ashtu, nuk ka bërë të ditur se cila është gjendja aktuale shëndetësore e ushtarit të lënduar, duke u mjaftuar vetëm me cilësimin e lëndimeve si të lehta.