Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia po vazhdon të planifikojë sulme terroriste ndaj Kosovës.
Këto komente, Sveçla i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që janë gjetur dhjetë detonatorë ndezës me fitila në Leposaviq.
“Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq”, shkroi ai.
Ai theksoi se shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e institucioneve të sigurisë, ka bërë të mundur “që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve”.
“Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë”, shtoi ai.
Sveçla deklaroi se kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia “do të ngadhënjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”.









