Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në takim morën pjesë vetëm kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja Emilija Rexhepi.
Sot ishte paraparë të mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku në rend dite ishin trajtimi i raportit të shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2025 dhe disa çështje që lidhen me obligimet e Kuvendit ndaj delegacioneve.
Megjithatë, mungesa e anëtarëve të tjerë të Kryesisë pamundësoi zhvillimin e mbledhjes.
Haxhiu deklaroi se, ndonëse Kuvendi i Republikës së Kosovës është shpërndarë, Kryesia ka ende obligime institucionale që duhet të adresohen.
“Për sot ka qenë e paraparë një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit. Ndonëse Kuvendi i Republikës së Kosovës është shpërndarë, ne kemi obligim si Kryesi që t’i adresojmë disa procese që i kemi para vetes. Në këtë rast kemi pasur trajtimin e raportit të shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2025 dhe disa çështje të tjera që lidhen me mbështetjen e delegacioneve dhe obligime të tjera institucionale”, tha ajo.









