As Nenad Rashiç, deputet nga radhët e komunitetit serb, nuk është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai mori 55 vota për, 1 kundër dhe 17 abstenime.

Rashiç ishte deputeti i radhës që u zgjodh me short për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.

Para tij, nga shorti u përzgjodhën edhe disa deputetë të tjerë serbë që janë nga Lista Serbe, por që nuk i morën votat e nevojshme. Disa prej deputetëve të Listës Serbe nuk pranuan që të bëhen pjesë e votimit.

Procedura për përzgjedhje me short u aplikua nga Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili i kërkoi Listës Serbe që të ndërronte kandidatin pas tri dështimesh të Slavko Simiçit, të cilët nuk pranuan.

Basha u thirr në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili specifikoi se një kandidat për Kryetar Kuvendi duhet të votohet vetëm tri herë dhe sipas tij, e njëjta vlen edhe për nënkryetarët.

Nga ana tjetër, Lista Serbe kundërshtoi këtë, duke thënë se kjo nuk vlen për nënkryetarët dhe se nuk do ta ndërrojnë kandidatin.