Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se të rinjve të Kosovës nuk u mungon as talenti, as inteligjenca, as ambicia. Por, theksoi se u mungon “një shtet që potencialin e tyre e trajton si prioritet, jo si slogan, jo si votë, jo si masë që manipulohet me nga 100 euro në prag të zgjedhjeve”.
Këto komente, Rama i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas publikimit të rezultateve të testit “PISA 2025”, ku Kosova u rendit sërish gati e fundit.
“Shteti nuk mbahet me pallavra, konferenca e propagandë online. Shteti ndërtohet në klasë. Me politika zhvillimore, me plan dhe me qëllim të mirë. Kurrë ma i qartë nuk ka qenë dallimi!”, shkroi Rama në Facebook.
PISA, thekson ai, duhet të jetë alarm për Qeverinë, “jo aktakuzë ndaj fëmijëve tanë”. “Sepse kur të rinjtë kanë potencial, por shteti dështon t’ua zhvillojë atë, nota nuk është e nxënësve. NOTA ËSHTË E QEVERISJES”.
Rama, theksoi se Qeveria, “vitin shkollor e nis me telashe rreth librave”.
“Qeveria, nuk arrin as t’i sigurojë ditarët nëpër shkolla. Qeveria, shkollën ende e trajton vetëm si objekt fizik, tulla e beton, e që as ato nuk i bon!”.
Qeveria, siç thotë Rama, “inteligjencën artificiale e përdor për propagandë, lajme të rreme e sulme ndaj kundërshtarëve politikë”.
“Qeveria, të rinjtë i sheh si vota dhe si masë për t’u manipuluar”.
Postimi i plotë i Ramës:
Të rinjve të Kosovës nuk u mungon as talenti, as inteligjenca, as ambicia. U mungon një shtet që potencialin e tyre e trajton si prioritet, jo si slogan, jo si votë, jo si masë që manipulohet me nga 100 euro në prag të zgjedhjeve.
Shteti nuk mbahet me pallavra, konferenca e propagandë online. Shteti ndërtohet në klasë. Me politika zhvillimore, me plan dhe me qëllim të mirë.
Kurrë ma i qartë nuk ka qenë dallimi!
Qeveria, vitin shkollor e nis me telashe rreth librave.
Kryeqyteti, ka instaluar 180 tabela digjitale dhe mbi 70% të klasave i ka pajisur me teknologji moderne për mësim.
Qeveria, nuk arrin as t’i sigurojë ditarët nëpër shkolla.
Kryeqyteti, tashmë e ka instaluar kurrikulën digjitale nëpër shkolla.
Qeveria, shkollën ende e trajton vetëm si objekt fizik, tulla e beton, e që as ato nuk i bon!
Kryeqyteti, e ka reformuar procesin mësimor me mësimin gjithëditor, të nisur fillimisht në 5 shkolla dhe tashmë të zgjeruar në 16.
Qeveria, për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve flet në konferenca lokale.
Kryeqyteti, ka siguruar shujta të ngrohta, ushqim me meny të hartuara nga nutricionistët, dollapë që fëmijët të mos i bartin çantat e rënda, si dhe aktivitete shtesë për zhvillimin e tyre social, emocional dhe fizik.
Qeveria, inteligjencën artificiale e përdor për propagandë, lajme të rreme e sulme ndaj kundërshtarëve politikë.
Kryeqyteti, AI-në e ka bërë pjesë të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Qeveria, të rinjtë i sheh si vota dhe si masë për t’u manipuluar.
Kryeqyteti, të rinjtë i sheh si potencial që duhet zhvilluar, duke i perkrah ne programe, hapesira publike.
Ky është dallimi mes një politike që mendon deri te “zgjedhjet e ardhshme” dhe një politike që mendon për gjeneratën e ardhshme.
PISA duhet të jetë alarm për Qeverinë, jo aktakuzë ndaj fëmijëve tanë. Sepse kur të rinjtë kanë potencial, por shteti dështon t’ua zhvillojë atë, nota nuk është e nxënësve. NOTA ËSHTË E QEVERISJES.









