Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bisedimet me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e Presidentit kanë dështuar, duke shkuar se në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Në një prononcim për gazetarë pas përfundimit të takimit, Kurti theksoi se LDK-së i ka propozuar zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Si zëvendës së tij, Kurti tha se e preferonte Abdixhikun.
“Bisedimet rezultuan të pasuksesshme për shkak se as njëra prej ofertave që ne i kemi i bërë nuk u pranua nga kreu i LDK-së. Ne fillimisht ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen… ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera”, tha Kurti.
“Unë kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet pikërisht Abdixhiku dhe në këtë mënyrë të fillojmë një kapitull të ri të bashkëpunimit e bashkëveprimit midis VV-së dhe LDK-së”, shtoi ai.
Kjo situatë, thekson Kurti, “është për të ardhur keq sepse në këtë mënyrë, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, tërësisht të panevojshme që i humbin kohë shtetit të Kosovës…”.
Pas përfundimit të takimit me Abdixhikun, Kurti bëri me dije se i ka dërguar një mesazh Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Ai potencoi se propozimi që i ka bërë LDK-së është ekskluzivisht për LDK-në dhe nuk vlen për PDK-në.
“Posa përfundova këtë takim, i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe i thash të shohim çfarë është e mundur që të ecim përpara”, deklaroi Kurti ndër të tjera.








