Edhe tentativa e 41-të dështoi. Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut, pozicionim ky që tashmë është shndërruar në bllokadë të pakalueshme për konstituimin e Kuvendit. Kryesuesi i seancës nga radhët e VV-së, Avni Dehari sërish hodhi në votim Komisionin për Votim të Fshehtë i cili prapë dështoi të themelohet.
54 deputetë votuan pro, nga 99 sa ishin në sallë. Dështimi i 41-të vjen edhe pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani pati me liderë të partive që duket se s’prodhuan ndonjë rezultat. PDK, LDK e AAK po kërkojnë nga Vetëvendosje të gjendet një kandidat konsensual për të parin e Kuvendit, mirëpo që Vetëvendosje ka ngulur rrënjë tek Albulena Haxhiu.
E subjekti i Albin Kurtit preferon që fillimisht të shkohet me votim të fshehtë, e që në rast se Haxhiu s’merr votat e mjaftueshme, të propozohet kandidat i ri. Një skenar i parë që 40 herë në Parlament ku e vetmja e re ishte forma e protestës së avokatit Arianit Koci me katër gomarë që i vendosi para Kuvendit.
