“Unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas në mbrojtjen e të drejtave të saj”, thoshte Xhelal Sveçla më 30 tetor.

Dorëheqja e Sveçlës nuk do ta fuqizonte drejtpërdrejt ndonjë grua.

E vërtetë.

Por, sikur Xhelal Sveçla t’i lexonte së paku raportet që i shkojnë në zyrë, drejtpërdrejt do të ndikonte mbase edhe në parandalimin e dështimeve institucionale, përfshirë edhe dështimin fatal të stacionit policor në Pejë.

Në këtë raport të 12 qershorit 2026, pikërisht në kohën kur Arlinda Zekaj e përjetonte në lëkurë mosfunksionimin absolut të sistemit, Avokati i Popullit ia dërgonte Xhelal Sveçlës këtë dokument 5 faqesh, ku tregonte një varg mangësish serioze bash në stacionin policor në Pejë.

Pas një vizite në këtë stacion, Avokati i Popullit dëshmonte se Qendra e Ndalimit në Stacionin Policor në Pejë nuk funksiononte që nga shtatori i vitit 2025.

Madje, stacioni nuk kishte as hapësirë adekuate për mbajtjen e personave të arrestuar deri në gjashtë orë.

Besojeni ose jo, raporti tregonte se në këtë stacion nuk ka as zyre të veçantë për zhvillimin e intervistave.

Edhe raporti flet për mungesën e veturave, mungesë që në rastin e Arlinda Zekajt dëshmohet konkretisht kur policia nuk i shkon në ndihmë as pas 1 ore, meqë s’kishte veturë.

Avokati i Popullit kishte evidentuar edhe mungesë të uniformave. Mungesë të pajisjeve elementare administrative, deri edhe mungesë të fotokopjuesve.

Të gjitha këto, secilën prej tyre, Xhelal Sveçla i ka ditur se paku 4 muaj më parë.

Pra, para gjysmë viti Sveçla e dinte se stacioni policor në Pejë nuk ka hapësirë për inteervistim, qendra e paraburgimit s’i funksionon fare, policët s’kanë vetura as uniforma.

S’kanë as fotokopjues e as sistem të thirrjeve emergjente.

Ministri i Brendshëm i dinte këto. E kishte lexuar këtë dokument. I kishte parë të gjitha mangësitë dhe kishte vendosur të bënte: ASGJË.

Kjo tregon se Xhelal Sveçla e ka ditur që stacioni policor në Pejë është improvizim, jo funksional, jashtë çdo normaliteti operues dhe prapë, prapë ka marrë vendimin që të mos bëjë as edhe një gjë.

Dhe kështu, derisa Arlinda Zekaj jetonte nën urgjencën e kohës, Xhelal Sveçla nuk kishte gjetur as minutat për ta lexuar një raport e as vullnetin për ta ndryshuar realitetin që prezantonte raporti.

Pra, jeta e Arlinda Zekaj varej nga mungesa e bezdisë së një ministri për të shfletuar një raport mbi tavolinën e tij.

Prandaj zotëri duhet të japësh dorëheqje, jo se dorëheqja jote ndikon në fuqizimin e grave, por ajo mundëson fuqizimin e institucioneve që më pas i mbrojnë gratë.

E kush e di edhe sa raporte të tjera dergjen në tavolinën e zotërisë që s’merr mundin as t’i lexojë.

Raporti: