Njëri kandidat për Kryeministër, tjetra kandidate për Presidente, të dy bartës të listave, u mposhtën me rezultat të thellë nga Albin Kurti në vendlindjen e tyre, në Mitrovicë.

Fjala është për kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Bedri Hamza, dhe kandidaten për Presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani.

Hamza dhe Osmani janë nga Mitrovica. Madje, Kryetari i PDK-së edhe jeton atje dhe ka qenë Kryetar i kësaj komune për një mandat (2021-2025).

Por, pikërisht në Mitrovicë, Lëvizja Vetëvendosje e ka fitoren me përqindjen më të madhe sa i përket komunave në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të së dielës së 7 qershorit.

Me 100 për qind të votave të numëruara – pa ato me postë dhe të diasporës – VV-ja e Kurtit ka marrë 59.84 për qind të votave në këtë qytet, përkatësisht 16 mijë e 928 vota.

Në vendin e dytë është renditur PDK-ja me 27.05 për qind të votave, apo 7 mijë e 653 vota.

E treta është LDK-ja me 8.88 për qind të votave, apo 2 mijë e 512 vota.

Ironikisht, në qytetin ku opozita kishte dy prej emrave më të fuqishëm të kësaj gare, rezultati nuk ishte as afër i ngushtë. Mitrovica u rreshtua masivisht pas Albin Kurtit, duke e kthyer vendlindjen e Hamzës dhe Osmanit në njërën prej fitoreve më të thella të Vetëvendosjes.