“A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni shizofrenin?”.

Kjo kishte qenë pyetja që Arlinda Zekaj ia kishte bërë Policisë pak orë para se të vritej me sëpatë nga kunati i saj.

Në dëshminë e saj në Polici, Zekaj kishte treguar se si ishte kërcënuar nga bashkëshorti i saj Jetoni dhe për këtë tregon se e kishte njoftuar Policinë.

“Unë, me të dhënat e mia më lart, pasi m’u kanë lexuar të drejtat e mia të përcaktuara me ligj, dua të deklaroj: Se më datë 25/10/2026, diku rreth orës 17:58, pasi unë kam dalë nga banjo dhe e kam pritur lavatriçen që t’i përfundojë rrobat e anëtarëve të Jetonit dhe pasi përfundoi lavatriçja, unë i kam futur rrobat e mia që të pastrohen”.

“E kam lëshuar lavatriçen dhe shkova në kuzhinë për të ngrënë bukë dhe vetëm kur e kam dëgjuar Jetonin duke bërtitur me të madhe dhe ka filluar të më kërcënojë me fjalët: ‘Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time? Ti nuk guxon më kështu të veprosh, kush je ti?”, thuhet në dëshminë që e ka publikuar Kallxo.com.

“Dhe më pas i kishte marrë rrobat e mia dhe i ka gjuajtur në oborrin e shtëpisë, siç edhe i ka parë Policia. Unë menjëherë, nga frika, e kam thirrur Policinë”.

Ajo ishte pyetur se ku do të shkojë, pas dhënies së deklaratës në Polici dhe se a pranon të shkojë në strehimore.

“Jo, unë nuk pranoj të shkoj në strehimore. Unë dua të shkoj në shtëpinë time”.

Pastaj, atë e kishin pyetur a e ndjen veten të sigurt të shkojë në shtëpi, pasi aty janë familjarët e Jetonit?

Ajo kishte thënë se nuk e ndjen vetën të sigurt sa duhet, “por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime”.

“Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime. Deklaratën, pasi e kam dhënë, e nënshkruaj me nënshkrimin tim personal, pa vërejtje, pa presion”.

Arlinda Zekaj u vra të dielën nga kunati i saj, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga Policia.

Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pasi që kishte paralajmëruar se mund të vritet, por që nuk iu ishte ofruar.