James Rubin, ish-diplomati amerikan që gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ka qenë Ndihmëssekretar Amerikan i Shtetit, në dëshminë e tij si dëshmitar i parë i mbrojtjes ka rrëfyer takimet që ka pasur me ish-Presidentin Hashim Thaçi.
Ai ka rrëfyer një moment kur e kishte takuar Thaçin pasi që ishte zgjedhur Kryeministër dhe kjo kishte qenë befasi, derisa e kujtonte si një person që kishte funksionuar në rrethana të vështira.
“Pas vitit 2000 kam pasur ndërveprim me Thaçin. Nuk më kujtohen të gjitha, më kujtohet takimi i parë ai ishte djalë i ri, e kam takuar në kohë të vështirë, nuk kishte ndonjë funksion zyrtar apo pushtet, dhe herën pas kësaj jemi takuar në New York, kur është bërë kryeministër, ku erdhi në një restorant si kryeministër. Dhe unë u habita shumë nga kjo, sepse ai kishte kaluar nga një djalë i ri që punonte në rrethana të vështira dhe tani befasisht ishte bërë Kryeministër, pra kishin kaluar disa vite, 4-5 vjet nëse më kujtohet mirë dhe kjo ka ndodhë në një restorant në New York”, tha Rubin.
Pjesë nga dëshmia e Rubin-it:
Kur ishte hera e fundit që e takuat?
Besoj që hera e fundit duhet të ketë qenë rreth vitit 2018, kur po punoja në Washington dhe ai ishte President.
Pse u takuat në atë kohë?
Unë u largova nga Londra në 2018, ndoshta jam takuar me të në 2019. Pra, në 2018 u ktheva në Washington për të punuar për një firmë të njohur lobimi dhe kur u ktheva atje unë kisha një kontratë me Qeverinë e Kosovës përpara që të mbrrija atje.
Kur partnerët e kuptuan që unë e njihja shumë mirë, menduan se kjo kishte kuptim që unë punoja me përfaqësimin që do t’i bëja unë atij në përpjekje për të bërë paqe me Serbinë.
Pra, kemi punuar shumë bashkë gjatë asaj periudhe, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellur një paqe përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe unë isha shumë i gëzuar që ta shoh atë, që ndoshta ne mund t’i jepnim fund këtij konflikti me një njohje të ndërsjellë. Pra, ne kemi punuar bashkë lidhur me këtë, për të sjellur paqe në rajon…. për të siguruar njohjen mes Kosovës dhe Serbisë.
A ju kujtohet kur keni arritur në Rambuje në 1999?
Po më kujtohet kur kam arritur pasi që kishte disa ditë që kishin filluar bisedimet. Pra, ishte Madeleine Albright, Sekretarja e Shtetit, duhet pasur parasysh se kjo ishte një çështje parësore për të, dhe gjërat që ishin të rëndësishme për të ishin edhe për mua dhe ajo e dinte se ajo dhe unë kuptonim fare mirë pikëpamjet e secilit dhe ajo më dërgoi mua përpara se të vinte ajo, rreth një javë më parë që të shkoj aty dhe të takoja negociatorët dhe që të fillonim të formulonim politikat që ishte një gjë tejet e rëndësishme përpjekja për të sjellë paqe dhe për të parandaluar atë që ne kishim frikë që do të ndodhte, pra që ishte një masakër masive ndaj shqiptarëve të Kosovës, pra që ta shmangnim këtë përmes konferencës për paqe.
Kur arritët ju, a e dinit nëse delegacioni i Kosovës kishte zgjedhur kryesuesin e tyre?
E dija?
A e kishin zgjedhur?
Po.
Kush ishte ai.
Hashim Thaçi.
A e dinit në atë kohë, apo e dini tani pse Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryesues i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës?
Jo. Ne thjesht e dinim që e kishin zgjedhur atë.









