Ish-emisari special amerikan gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka ndarë diskutime nga takimet që kishin asokohe me Slobodan Millosheviçin. Në pyetjet e gjyqtarëve, ai ka folur për një shqetësim që kishte Millosheviçi se “Amerika po e anashkalonte Ibrahim Rugovën” dhe po ndërtonte një partner të ri në Kosovë, Hashim Thaçin.

“Nëse e dini sigurisht, e përmendi apo e theksoi Millosheviçi zotin Thaçi si alternativë ndaj zotit Rugova?”, u pyet Hill.

Hill u përgjigj se kreu i Serbisë mendonte se diskutimi me njerëzit e UÇK-së dhe Thaçin nga ana e amerikanëve ishte gabim.

“Mendoj se kishte… mund të ketë ndodhur pasi doli emri i Thaçit. Ende s’jam i sigurt kur e kam takuar për herë të parë Thaçin, por mendoj se Millosheviçi ishte i shqetësuar se ne po planifikonim ta linim anash Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partnerin tonë”.

“Pse ishte i shqetësuar për këtë, nuk jam i sigurt. Sigurisht që KDOM-i ynë, ai kontingjenti shumë aktiv nën Sean Burns, merrej natyrshëm më shumë me njerëzit me uniforma kamuflazhi sesa me LDK-në, kështu që mund të ketë qenë edhe kjo një arsye. Por si koncept i përgjithshëm, ai mendonte që ne disi po heqnim dorë nga Rugova. Tani, duhet të them se shumë njerëz të tjerë mendonin se duhej hequr dorë nga Rugova, dhe sigurisht z. Gelbard ishte shumë më i interesuar të fliste me UÇK-në.

Por lidhur me pyetjen pse ai e përmendi me emër z. Thaçi, nuk i kujtoj rrethanat, por duhet të ketë pasur ndonjë takim mes Thaçit dhe ndonjë grupi amerikanësh, dhe ai donte të na thoshte se kjo ishte një gabim”, u përgjigj ai.

Gjyqtari e pyeti nëse u përmend dikush tjetër nga UÇK-ja.

“Nuk më kujtohet. Vërtet nuk më kujtohet. Më kujtohet vetëm ai emër. Dhe mendoj se mund të ketë qenë në kontekstin kur UÇK-ja tha se kush do të ishte drejtori i tyre politik”, tha Hill.