Michael Durke, ish-këshilltar i Komandantit të NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, kishin mbetur grupe paramilitare serbe, ndër të cilët edhe “Tigrat e Arkanit”, të cilët thotë se u bënin presion serbëve në Veri të Kosovës që të mos bashkëpunonin me KFOR-in, pasi që, siç thekson ai, dëshironin që të ruanin kontrollin mbi atë zonë.
Këto komente, Durke i ka bërë në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatë Speciale, si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ata po ushtronin presion, për shembull, ndaj serbëve që kishin mbetur në zonën e Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke ushtruar presion që serbët të mos bashkëpunonin me UNMIK-un dhe KFOR-in, sepse ata dëshironin të ruanin kontrollin serb mbi ato territore”, tha Durke.
I pyetur për emrat e këtyre paramilitarëve, Durke deklaroi se ishin edhe “Tigrat e Arkanit” dhe “Djemtë e Frankit”.
Pjesë nga dëshmia e Michael Durke:
Dua të shqyrtoj atë që ju dinit për forcat paramilitare serbe që ndodheshin në Kosovë pas tërheqjes së forcave të Ushtrisë Jugosllave dhe të Ministrisë së Brendshme Serbe (MUP). Mendoj se ju u pajtuat me gjyqtarin Barta që ishit në dijeni për ekzistencën e forcave të tilla që vepronin.
Po.
A i dini emrat e atyre forcave paramilitare serbe?
Është interesante të shihet ngjashmëria me situatën që gjetëm në Bosnjë pas zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, sepse edhe atje gjetëm të paktën mbetje të forcave paramilitare që kishin vepruar në bashkëpunim me Ushtrinë Jugosllave dhe MUP-in, dhe ato mbetën, duke pasur emra “ngjyrues” si “Tigrat e Arkanit” dhe “Djemtë e Frankit”. Frankie Simatoviç, mendoj, ishte emri. Dhe kështu, ne nuk e dinim në mënyrë specifike nëse ata ishin fizikisht të pranishëm në Kosovë.
Ne dinim që ata kishin pasur elementë aktivë në Kosovë gjatë konfliktit dhe se disa prej tyre kishin mbetur pas. Është një situatë ku është shumë e vështirë për shërbimet e inteligjencës të depërtojnë, të marrin informacione drejtpërdrejt për atë nivel aktiviteti.
Mendoj se në përgjithësi, Kosova gjatë asaj periudhe ishte një kohë shumë kaotike, dhe kishte shërbime të ndryshme perëndimore të inteligjencës që përpiqeshin të zhvillonin rrjete informacionesh, ashtu siç bëmë edhe ne përmes KFOR-it.
Pra, ne dinim që kishte elementë të forcave paramilitare që kishin mbetur pas. Ishte e vështirë të merreshin informacione të sakta për atë se kush ishin, cilat ishin aftësitë dhe qëllimet e tyre.
Dhe duke u përqendruar tani ekskluzivisht në periudhën pas tërheqjes së VJ-së dhe forcave serbe, a dinit ju çfarë lloj aktivitetesh po zhvillonin ata?
Ata po ushtronin presion, për shembull, ndaj serbëve që kishin mbetur në zonën e Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke ushtruar presion që serbët të mos bashkëpunonin me UNMIK-un dhe KFOR-in, sepse ata dëshironin të ruanin kontrollin serb mbi ato territore.
Dhe sipas dijenisë suaj, a mori ndonjë nga ato forca paramilitare serbe pjesë në ndonjë lloj armiqësie pas tërheqjes së VJ-së?
Nëse pyetja nënkupton armiqësi kundër KFOR-it, besoj se jo. Veprimet e tyre ishin të drejtuara kundër elementeve civile të popullsisë.
Le ta shqyrtojmë pak më shumë këtë. A ishin veprimet e tyre të dhunshme? A përdornin armë?
Me siguri që ishin të armatosur. Nuk kujtoj incidente të veçanta të dhunës së armatosur, por kërcënimi ekzistonte. Dhe sigurisht, ata po përballeshin me elementë serbë, civilë serbë, të cilët vetë ishin shumë të shqetësuar për të ardhmen dhe shpresonin në mbështetje nga Serbia për t’i mbrojtur.








