Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, ka thënë se pas deklaratës së ish-ambasadorit amerikan, Robert Gelbard, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është “organizatë terroriste”, ndodhi masakra ndaj Familjes Jashari nga forcat serbe, pasi që, siç tha ai, ky qëndrim i Gelbardit u pa si një sinjal pozitiv nga serbët për të ndërmarrë veprime të tilla, si ajo ndaj Familjes Jashari.
“Në një moment, ai bëri një deklaratë të tillë që kishte të bënte me faktin se ai kishte pasur të bënte me kriminelë të ndryshëm të organizuar, dhe përdori termin ‘terroristë’, duke thënë se e shihte UÇK-në si terroristë. Ishte një deklaratë për shtypin, dhe pak pas saj ndodhi një incident ku forcat e sigurisë serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari, me pasojë që të gjithë u vranë. Ky ishte një shpërthim i madh, shumë i madh armiqësish”, tha Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë.
Ai shtoi se “kishte shumë kritika që deklarata e Gelbardit, se UÇK-ja ishte terroriste, kishte në një mënyrë a tjetër nxitur këtë incident nga ana e forcave të sigurisë serbe, meqë ato kishin ndjerë se Gelbardi në njëfarë mënyre kishte dhënë ‘dritë të gjelbër’ për këtë”.
“Do të shtoja në parantezë se nuk mendoj se ka ndonjë provë për këtë, por kjo ishte padyshim ajo që po diskutohej — që nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në ‘terroriste’, atëherë kjo disi shihet si një sinjal për serbët që të ndërmarrin veprime kundër tyre”.
Më pas, Hill tregoi se Gelbardi mbajti një qëndrim “shumë të ashpër ndaj serbëve për sulmin ndaj këtyre njerëzve, dhe gjithashtu pati një bisedë shumë të ashpër me Millosheviçin, me pasojë që Millosheviçi tha se nuk do ta takonte më Gelbardin”.
“Pra, e gjithë çështja në maj filloi nga Gelbarti duke folur për përvojën e tij të mëparshme me kriminelë dhe terroristë nga Amerika Latine, dhe përfundoi me këtë sulm, nëse mund ta quajmë ashtu, ndaj familjes Jashari. Pastaj Gelbardi bëri një korrigjim të fortë në qëndrimin e tij, ndërsa Millosheviçi refuzoi ta takonte më. Kështu që kjo e mori një çështje që ishte serioze dhe e bëri edhe më serioze dhe më vdekjeprurëse”.
Hill u pyet edhe se a kanë ShBA-të një proces formal për të shpallur organizatat e huaja terroriste, ku tha se po, ShBA-të kanë një proces formal për shpalljen e organizatave terroriste, dhe “sa më kujtohet, kjo nuk është bërë asnjëherë në lidhje me UÇK-në”.








