“E vërteta del në sipërfaqe dhe të gjitha shpifjet dhe propaganda dashakeqe u çmontuan sot në Hagë”, ka thënë lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, pas fillimit të paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
“Lufta jonë për pragun e shtëpisë ishte e drejtë, e duhur dhe e domosdoshme, prandaj dhe u përkrah nga Washingtoni, Brukseli, Londra, Parisi, Roma, Berlini dhe e gjithë bota liridashëse”, shkroi Ahmeti në Facebook.
James Rubin, ish-diplomati amerikan që gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ka qenë Ndihmëssekretar Amerikan i Shtetit, ka filluar të dëshmojë nga sot (e hënë, 15 shtator) në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes.
Ahmeti e ka falënderuar Rubin-in, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe botën demokratike “që e përkrahu kushtrimin e popullit shqiptar për liri, demokraci dhe pavarësi”.
Përveç Rubin-it, nga ajo që dihet, edhe ish-Komandanti Suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë gjatë luftës në Kosovë, Gjenerali Wesley Clark, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner, ish-ambasadori William Walker, si dhe të tjerë – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – kanë pranuar të dëshmojnë në anën e mbrojtjes.
Dëshmitarë kanë thirrur vetëm Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi jo.
Ish-krerët e UÇK-së – Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi – që nga 5 nëntori i 2020, po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të këtij viti, bëri me dije se ka mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.
Ndryshe, një ditë më parë, në Hagë të Holandës, afër objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, mijëra qytetarë shqiptarë nga vende të ndryshme protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.