Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka folur në lidhje me procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, që tanimë po shkon drejt fundit.

Ai ka vlerësuar se dëshmitë po zhvillohen në përputhje me ligjin dhe rregullat e procedurës.

“Po, dëshmitë e dëshmitarëve po zhvillohen në përputhje me ligjin dhe me rregullat e procedurës dhe të provave. Në fillim, në pjesën e parë të gjykimit, dëgjuam dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria që dhanë dëshmitë e tyre, ndërsa tani janë dëshmitarët e mbrojtjes, të cilët thirren nga vetë mbrojtja, duke përzgjedhur ata dëshmitarë që mendojnë se mbështesin më së miri rastin e tyre”, ka thënë Doyle.

Ai ka shtuar se në fund të procesit do të jenë gjyqtarët ata që do të vlerësojnë secilën dëshmi të dëshmitarëve, si dhe do të vendosin për secilën akuzë nëse është dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm.

“Në fund të gjykimit, janë gjyqtarët ata që do të marrin vendim për besueshmërinë dhe peshën e secilës dëshmi, duke i vlerësuar provat dhe dëshmitë në tërësi, për të vendosur nëse për secilën akuzë është dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm. Pra, do të jenë gjyqtarët ata që me kujdes do të vlerësojnë çdo dëshmi të dëshmitarëve”, ka deklaruar Doyle.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara ka ritheksuar faktin se deri tani, vetëm mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë paraqitur dëshmitarë.

“Mbrojtja e Thaçit ka treguar se dëshiron të thërrasë gjithsej 11 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dëshiron të thërrasë edhe 2 të tjerë. Pra, gjithsej 13 dëshmitarë. Deri tani kemi dëgjuar tre, kështu që pres që ekipet mbrojtëse të thërrasin edhe 10 dëshmitarë në sallë gjyqi dhe gjithashtu të dorëzojnë disa dëshmi me shkrim”, potencoi zëdhënësi.

Michael Doyle ka zgjedhur të jetë i rezervuar në lidhje me procesin pas dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes.

 “Siç e përmenda, si Prokuroria ashtu edhe Mbrojtja kanë mundësinë të thërrasin dëshmitarët që mendojnë se mbështesin më së miri rastin e tyre. Javën e kaluar dhe këtë javë dëgjuam tre dëshmitarët e parë të thirrur nga mbrojtja. Në fund të procesit gjyqësor, gjyqtarët do të jenë ata që do të vlerësojnë besueshmërinë, peshën dhe rëndësinë e çdo prove dhe çdo dëshmie, duke i marrë parasysh të gjitha dëshmitë në mënyrë gjithëpërfshirëse”, ka shtuar Doyle.