James Rubin, ish-zëdhënësi i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, ka thënë se ndihet mirë që iu dha mundësia të kontribuojë në këtë kapitull kaq të tmerrshëm për Kosovën.
Ai u shpreh se gjatë gjithë kohës se dëshmisë së tij në Hagë, kishte në mendje Hashim Thaçin dhe e përshkroi qëndrimin e ish-presidentit në sallë si mjaft dinjitoz.
“Nuk e kam parë ish-presidentin Thaçi që prej para pesë vitesh. E pashë në gjykatore, ishte plot dinjitet dhe shumë i kujdesshëm. E kisha në mendje gjatë gjithë dëshmisë sime. Avokatët dhe gjyqtarët ma bënë të qartë që të mos flisja me askënd”, tha ai në një intervistë për Klan Kosovën.
“Shpresoj ta shoh së shpejti, t’ia shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit. Më vjen mirë që mu dha mundësia të kontribuoj në këtë kapitull të tmerrshëm. Akuzat kundër tij janë të rreme. Nuk kishte zinxhir vertikal komandues që do t’ia mundësonte atij të jepte urdhra ose vendime, dhe në rastet kur kishte, udhëhiqej nga gjenerali Çeku,” shtoi ai.