John Duncan, ish-këshilltar i Komandantit të Forcave të NATO-s, Wesley Clark, pasi që është pyetur për Xhavit Halitin, ka thënë se ka qenë një person me interes i veçantë për ta.
Këto komente, Duncan i ka bërë në dëshminë e tij për të dytën ditë radhazi si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pasi që iu paraqit një fotografi e Halitit në një takim që ai e kishte pasur me disa nga komandantët e UÇK-së.
“Unë e di kush është ky zotëri, dhe ai është një person me interes të veçantë për ne, ka qenë, por nuk jam i sigurt nëse jam i përgatitur ose i aftë ta zbuloj kush ishte ai”, tha Duncan.
Pjesë nga dëshmia e Duncan:
Nëse mund të kalojmë tani te një pamje… Ky zotëria me këmishë me vija blu e zezë, kush është ai?
Kemi hyrë në një zonë të ndjeshme, z. President.
Unë e di kush është ky zotëri, dhe ai është një person me interes të veçantë për ne, ka qenë, por nuk jam i sigurt nëse jam i përgatitur ose i aftë ta zbuloj kush ishte ai.
Dëshmitar, a do të ndihmonte të kalonim në seancë private që t’ju bëj këtë pyetje?
Dyshoj.
Dëshmitar, dje po flisnit për Xhavit Halitin. Ky është Xhavit Haliti, apo jo?
Ai nuk është zotëria që mua më është thënë se ishte Xhvait Haliti, i cili ishte në takimin në Tiranë.
Pas kësaj, dëshmitari kërkoi që seanca të kalojë në sesion privat për të treguar më shumë rreth Halitit.








