80 mijë e 659 qytetarë e kanë ushtruar të drejtën e tyre për votuar deri më tani në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale deri në ora 11:00.
Siç ka njoftuar Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, deri më tani kanë votuar 6.13 për qind e qytetarëve. Të drejtë vote në 18 komunat ku ka balotazh kanë 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë.
“KQZ është në komunikim të vazhdueshëm me trupa zgjedhore në terren me qëllim që të zbatohet ligji. Duke u mbështetur në të dhënat preliminare nga 95% të vendvotimeve, numri që kanë votuar deri në orën 11:00 është 80 mijë e 659, apo 6.13%”, tha Radoniqi.
Krahasuar me raundin e parë, numri i votuesve është më i vogël.
“Deri në të njëjtën kohë në rundin e parë kishin votuar 7.58% apo 99 mijë votues”, shtoi kreu i KQZ-së.
Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.









