“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Kryetari Lumir Abdixhiku janë në bisedime për t’i dhënë vendit President”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Këto komente, Haziri i bëri përmes një postimi në Facebook. Reagimin e tij e bëri për të demantuar disa media që raportuan gjoja për një marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, përmes të cilës Haziri do të bëhej Kryetar i Kuvendit, ndërsa Albulena Haxhiu Presidente.
“Shkrimet në media për ndërrime të pozicioneve janë të absolutisht të pavërteta. LDK është parti e shpresës dhe e besës dhe angazhohet në vazhdimësi për institucione funksionale e përfaqësuese”, tha Haziri.
Sipas numrit dy të LDK-së, “është dëshmuar tashmë se një parti dhe një udhëheqës janë të pamjaftueshëm për arritjen e qëllimeve politike të Republikës!”.
Për çështjen e Presidentit, të mërkurën foli edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se është në komunikim me partitë opozitare për këtë temë, derisa shtoi se kur të ka rezultate do të njoftojë.
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti pas tryezë “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.
I pyetur se me cilin lider do të takohet këtë javë, Kryeministri nuk ka treguar.
Ky deklarim i Kurtit vjen në një kohë kur kanë mbetur edhe 14 ditë afat për ta zgjedhur Presidentin. Nëse nuk e bëjnë deri atëherë, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kosova që nga 5 prilli është me ushtrues detyre të Presidentit. Pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Vjosa Osmanit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, mori përkohësisht edhe postin e të parës së shtetit.
Hera e fundit kur pati takime për Presidentin ishte e hëna e 6 prillit. Diskutuan Kurti dhe Abdixhiku.
Takimi përfundoi pa asnjë rezultat. Të shtunën, Abdixhiku foli përsëri për këtë takim. Ai tha se nuk pranojnë që një parti, në këtë rast Vetëvendosja, t’i ketë tri pozitat kryesore shtetërore, derisa tregoi se nuk i mbështesin asnjërën nga kandidaturat e VV-së – Glauk Konjufcën dhe Fatmir Kollçakun, të cilat theksoi se kanë qenë të vetmet që janë diskutuar në takimin e së hënës me Kurtin.
“Kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku, duke theksuar se nuk ka propozuar emra për President.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani, ku u konstatua se dekreti i saj s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë kohë për ta zgjedhur Presidentin, Kurti nuk është takuar me Kryetarin e partisë më të madhe opozitare, me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës.
PDK ka thënë se po presin ftesë zyrtare nga Kurti, i cili, sipas tyre, ende nuk e ka bërë këtë lëvizje.









