Albulena Haxhiu, Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Kosovës dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, u ka dërguar letra kryetarëve të partive politike për takim, për të diskutuar në lidhje me formimin e institucioneve, posaçërisht për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.
Takimi është ftuar për të martën e 18 gushtit, duke filluar nga ora 9:00, në Presidencë.
“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhet në letër.
Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë deklaruar se nuk takohen me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa i kanë bërë thirrje që sa më parë ta konstituojë Kuvendin.
PDK e Aleanca madje e kanë akuzuar VV-në për shkelje të Kushtetutës dhe “cenim të rendit kushtetues”, për shkak të anashkalimit të afateve kushtetuese për formimin e legjislativit të ri, të dalur nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar disa takime me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por të gjitha kanë përfunduar pa marrëveshje.
Në këtë drejtim, Abdixhiku, duke treguar ofertën, sipas tij, aspak dinjitoze të VV-së për LDK-në, deklaroi se nuk janë të interesuar që të bëhen pjesë as e Qeverisë, e as ta propozojnë emrin e Presidentit.
Megjithatë, bëri me dije se deputetët e LDK-së janë të gatshëm që ta votojnë një për President një figurë konsensuale.









