Transporti dhe shërbimet e tjera publike në të gjithë Spanjën janë përballur me ndërprerje të mëdha gjatë grevës së parë të përgjithshme pas 14 vjetësh, të thirrur nga sindikatat kryesore për shkak të krizës së banimit dhe kostos së lartë të jetesës.
Për të mërkurën ishin planifikuar edhe protesta, ndërsa tubimet më të mëdha priteshin në Madrid dhe Barcelonë. Spanjollët pritet të votojnë në zgjedhjet parlamentare më 29 nëntor.
Kreu i sindikatës së madhe UGT, Pepe Alvarez, tha se greva ishte e suksesshme, me pjesëmarrje “masive”, ndërsa Unai Sordo nga sindikata CC OO e cilësoi pjesëmarrjen si “shumë domethënëse”, shkruan BBC.
Megjithatë, Konfederata Spanjolle e Organizatave të Biznesit tha se pjesëmarrja ishte “e ulët dhe e pabarabartë”, varësisht nga zonat dhe sektorët e përfshirë.
Disa nga ndërprerjet më të mëdha të së mërkurës u regjistruan në qendrat kryesore industriale të Madridit dhe në rajonin verilindor të Katalonjës, ku trafiku u ndal në disa rrugë kryesore.
Ministria e Brendshme njoftoi se dhjetëra persona ishin arrestuar për incidente të ndryshme, ndërsa mediat spanjolle raportuan se agjencitë e patundshmërive ishin sulmuar në zyrat e tyre.
Greva u nxit nga protestat e gjera për banim të përballueshëm dhe rritjen e kostos së jetesës, pas dëbimit të 87-vjeçares Maricarmen Abascal nga një banesë në Madrid, ku kishte jetuar për shtatë dekada. Ajo vdiq në spital disa javë më vonë.
Çmimet e qirave në kryeqytetin spanjoll janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, vazhdon shkrimi i BBC. Sipas portalit të patundshmërive Idealista, qiraja mujore për një banesë prej 50 metrash katrorë në Madrid ishte mesatarisht 1,170 euro në tetor, ndërsa paga mesatare mujore bruto në Spanjë është rreth 2,460 euro.
Kjo shumë përbën gati gjysmën e pagës mesatare bruto, dukshëm mbi nivelin prej 30 për qind të të ardhurave, që ekspertët e banimit dhe institucionet publike e rekomandojnë shpesh si kufi të përballueshmërisë.
Kryeministri socialist, Pedro Sanchez, shpalli zgjedhje të parakohshme muajin e kaluar, pasi parlamenti dështoi ta miratonte planin e tij për reformën në sektorin e banimit.
Spanja nuk kishte organizuar greva të përgjithshme që nga viti 2012, gjatë qeverisjes së konservatorit Mariano Rajoy.
Dhe, ndonëse grevat e mëparshme kanë qenë problematike për qeverinë në pushtet, kjo e fundit është ndryshe. Sanchez dhe ministrat e tij madje i kanë nxitur punëtorët të ndërpresin punën dhe të kërkojnë banim të përballueshëm.
“Dita juaj tetëorëshe e punës. Pensioni juaj. Kujdesi shëndetësor publik… Këto janë të drejta të fituara kolektivisht”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke vlerësuar ata që morën pjesë në grevat e mëparshme.
Kreu i Partisë Popullore (PP), Alberto Nunez Feijoo, e quajti grevën e përgjithshme “marrëzi”, ndërsa i cilësoi sindikatat si “mafie” dhe “plehra”.
Partia e Feijoos kryeson në sondazhe, ndërsa zëdhënësi i saj, Miguel Tellado, akuzoi qeverinë se po e shfrytëzon grevën për t’i paralajmëruar votuesit që të mos lejojnë formimin e një qeverie të djathtë, një skenar që duket më i mundshmi pas zgjedhjeve të 29 nëntorit.
Sanchez tha këtë javë për televizionin spanjoll: “Marrëzi është të vësh në pikëpyetje të drejtën e punëtorëve për të hyrë në grevë”.
Në mesin e pjesëmarrësve në grevën e përgjithshme ishte edhe 27-vjeçari Gonzalo Alvarez, i cili vizitonte piketat e ndryshme të grevistëve në qendër të Madridit.
Ndonëse punon në shitje, ai ka qenë vullnetar në një sindikatë të banimit, e cila përpiqet t’i mbrojë qiramarrësit dhe t’i informojë ata për të drejtat e tyre.
Dëbimi i Maricarmen Abascal në fund të shtatorit ishte “shkëndija e vogël” që ndezi këtë protestë, i tha ai BBC-së.
Alvarez e njihte 87-vjeçaren, së cilës qiraja i ishte trefishuar pas ardhjes së pronarëve të rinj, dhe thotë se ishte thellësisht i tronditur nga mënyra se si ishte trajtuar ajo.
Ai merr me qira një banesë të vogël me një dhomë gjumi, së bashku me të dashurën e tij, e cila punon si higjieniste dentare, në lagjen Arganzuela, në jug të qytetit. Çifti paguan gjithsej 1,000 euro, që do të thotë se secili shpenzon rreth gjysmën e pagës për banim, pa llogaritur faturat e tjera.
“Është krejtësisht e çmendur… me ushqimin, energjinë elektrike, ujin dhe gazin”.
Ai nuk sheh asnjë mundësi për të blerë një pronë: “Duhet të grumbullosh një shumë marramendëse parash që të mund të blesh një shtëpi. Prandaj, me këto paga, është e pamundur”.
Me çmimet aktuale të qirave dhe të pronave, ai beson se blerja e një banese është “plotësisht e pamundur”.
Ndërkaq, zëvendëspresidenti i CEOE-së, shoqatës më të madhe të bizneseve në Spanjë, Miguel Garrido, e kritikoi grevën, duke u ankuar se bizneset kanë pak të bëjnë me çmimet e banimit.
“Kjo nuk është grevë për arsye që lidhen me punën, por për arsye politike dhe është e lidhur ngushtë me shpalljen e parakohshme të zgjedhjeve”, tha ai.
Protesta ishin planifikuar edhe në disa nga qytetet më të mëdha të Spanjës gjatë ditës, ndërsa shkalla e mbështetjes pritet të shihet gjerësisht si tregues i pakënaqësisë së qytetarëve në prag të zgjedhjeve.
Një tjetër tregues i besueshëm i mbështetjes për grevat është niveli i kërkesës për energji elektrike nga sektori industrial i Spanjës.
Sipas të dhënave të operatorit Red Electrica, konsumi i energjisë elektrike në Spanjë ra me 7.5 për qind gjatë orëve të para të së mërkurës. Gjatë grevës së fundit të përgjithshme, 14 vjet më parë, konsumi në të njëjtën periudhë kishte rënë për më shumë se 15 për qind.









