Dënimi i dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, me një vit e pesë muaj burgim, ka nxitur reagime edhe nga përfaqësues të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka përfituar politikisht nga kjo situatë.

Sipas Haradinajt, Kurti ka ndryshuar qëndrimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së për interesa politike, duke pretenduar se më herët kishte bërë përpjekje që ata të vazhdonin të qëndronin në paraburgim.

“Albin Kurti e pa që është pak gjasa me dalë të padënuar, prandaj përfitoi politikisht, gjoja se tash po i dhimben ata e për gjashtë vite bëri çmos që ata me nejt mrena, e tash nuk po i sheh më konkurrentë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka komentuar edhe vendimin e fundit të Gjykatës Speciale, duke thënë se sipas tij, ai kishte dy qëllime.

Haradinaj ka pretenduar se Gjykata, përmes dënimit më të ulët, ka tentuar të krijojë përshtypjen e një qasjeje më të relaksuar, ndërsa njëkohësisht ka konstatuar fajësinë e Thaçit.

“Njëri e bëri për makiazh, tregoi relaksin, qysh megjithatë nuk shkoi me dënime sa ka mujt me shku, por e konstatoi fajësinë, dhe ia shtruan rrugën e Gjykatës së Apelit që ata të japin një fajësi”, ka thënë Haradinaj.