Natyrisht që Albin Kurtit dhe vartësve të tij nuk u dhemb dënimi për krerët e UÇK-së.

Natyrisht që edhe u pëlqen.

Sepse, para se Gjykata Speciale ta shpallte aktgjykimin dënues që e kriminalizon UÇK-në në qëllime, rrugë e metoda, ishin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe të tjerë në rreshtin e parë të linçuesve në Vetëvendosje, që ua kishin bërë gjyqin e dënimin publik Thaçit e Veselit në veçanti.

Ja, dëgjojini.

Albin Kurti për Thaçin: Unë besoj që Kosova ka për president një kriminel.

Glauk Konjufca: Dy shtyllat e krimit të organizuar në Kosovë janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Kurti: Heshtja e zv.kryeministrit që është president në tentativë, e bën shumë të dyshimtë këtë person, i cili ka qenë i fundit me Behajdin Allaqin por nuk tregon se çfarë ka ndodhur me të.

Albulena Haxhiu: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli si kokat e krimit në Kosovë.

Donika Gërvalla: Kadri Veseli është ish-koka e një organizate që ka kryer krime të rënda.

Albin Kurti: Të rehabilitohet Kadri Veseli, Aleksandër Jabllanoviqi dhe Hashim Thaçi…Këta tre shefa përfaqësojnë tre lloje të ndryshme të krimit.

Albulena Haxhiu, Kadri Veselit: Kriminel…Ti je kriminel.

Albin Kurti: Por flisni të vërtetën për këta kriminelë, se ju e dini shumë mirë kush janë këta.

Albin Kurti: Instalimin e kreut të nëntokës në krye të Kuvendit.

Glauk Konjufca: Kadri Veselit sot i doli fytyra e vërtetë. Fytyra e gangsterit dhe çka është ai në të vërtetë.

Albin Kurti: Keni qenë komandantë një vjet e 14 vjet biznesmenë.

Albin Kurti: Problemi është që kreu i SHIK-ut, i një organizate sekrete kriminale, u bë kryetar Parlamenti, Kadri Veseli.

Për dallim nga ky pushtet, që ka ngjitur majat duke marrë afër vetes krejt ata që kanë treguar urrejtje për UÇK-në dhe e kanë njollosur atë me akuzat më monstruoze, qytetarët refuzojnë ta pranojnë këtë aktgjykim nga Haga, të konstruktuar me thashetheme e llogari politike, pa fakte, dhe që e tjetërson në mënyrë skandaloze historinë e luftës për liri.

Populli po refuzon metodat e pushtetit për ta relativizuar aktgjykimin dhe që një ligj që shërben për mbrojtjen e UÇK-së dhe vendosjen e drejtësisë ta kthejë në pazar të rëndomtë politik për të mbrojtur karrigen e vet.

E në vend që t’i bashkohet luftës kundër padrejtësisë, Kurti, me komisarët e tij politikë, ka zgjedhur shkopin dhe gazin lotsjellës për ta ndalur revoltën paqësore që kërkon drejtësi e dinjitet për historinë dhe të ardhmen e vet.