Salih Mustafa është juridikisht i dënuar nga Gjykata Speciale, por ai u dënua edhe moralisht e njerëzisht nga ky institucion.
Si i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe kur, për pasojë, nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor, Mustafës iu refuzua kërkesa për ta vizituar babanë e tij të sëmurë rëndë. Babai i tij sot vdiq pa lamtumirën e të birit në burg.
Me këtë akt, Gjykata Speciale e mbyti për të disatën herë drejtësinë – pasi nuk ka asnjë justifikim të qëndrueshëm ligjor, e lëre më human, që në një rast të tillë, t’i mohohet një vizitë familjare humane një të burgosuri.
Refuzimi i një vizite te prindi në gjendje të rëndë shëndetësore nuk është thjesht një vendim administrativ, por një cenim i dinjitetit njerëzor dhe i lidhjes më familjen.
Ky veprim bie ndesh me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikat tjera juridike ndërkombëtare, të cilat garantojnë trajtim human dhe respekt për jetën familjare edhe për personat e privuar nga liria.
Por këto standarde nuk vlejnë në Gjykatën Speciale.
Duke e trajtuar kështu Salih Mustafën, ajo e dënoi atë për herë të dytë – kësaj here moralisht dhe emocionalisht.
E dënoi edhe familjen e tij.
Ky mohim i vizitës nuk përbën veç dënim moral, por edhe një formë torture, së cilës i mungon vetëm edhe arsyetimi ligjor.