Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas dënimit të dytë të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale në Hagë.

Limaj ka thënë se ky rast përbën edhe një arsye më shumë që të ngrihet seriozisht çështja e drejtësisë që, sipas tij, po administrohet në emër të Kosovës.

“Drejtësia nuk është vetëm shpallja e një aktgjykimi. Ajo kërkon paanshmëri, integritet, barazi të palëve dhe zbatim të standardeve të njëjta për të gjithë”, ka shkruar Limaj.

Ai ka theksuar se çdo proces gjyqësor duhet të garantojë të drejtën e mbrojtjes, shqyrtimin e paanshëm të provave dhe respektimin e standardeve të një gjykimi të drejtë.

Sipas Limajt, shqetësimet për mënyrën se si po zhvillohen këto procese nuk mund të anashkalohen dhe Kosova nuk duhet të mbetet vetëm spektatore.

“Kuvendi duhet të veprojë, ligji duhet të rikthehet në fuqi dhe duhet të hapet një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e kësaj Gjykate”, ka deklaruar ai.

Limaj ka përfunduar se Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, dinjitet dhe institucione që mbrojnë interesin e shtetit të tyre.