A ju kujtohet se si i quante Albin Kurti ata që shkelin Kushtetutën?
Super-kriminelë. E dëgjuat vetë.
Me gjithë këtë predikim, Albin Kurti dhe partia e tij janë shndërru në shkelës të përbetumë të Kushtetutës.
Rrafsh 12 herë, në gati 6 vjet qeverisje.
Le t’i shohim me radhë vendimet dhe ligjet e pushtetit të Kurtit që janë shpallur antikushtetuese:
• Qeveria Kurti 1:
1. 31 mars 2020 – vendimi i Qeverisë për “orën policore” gjatë pandemisë, sepse kufizonte lirinë e lëvizjes pa bazë ligjore.
2. 1 maj 2020 – vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Prizrenit zonë karantinë sepse ishte pa bazë ligjore
• Qeveria Kurti 2:
1. 2 janar 2022 – vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, sepse cenonte pavarësinë e këshillit.
2. 8 prill 2022 – ndërhyrja e MASHTI-t në Komunën e Kamenicës për riorganizimin e shkollave, sepse kishte tejkalim kompetencash.
3. 24 mars 2023 – ndryshimi i Ligjit mbi Këshillin Prokurorial, sepse pushteti ndërhynte në pavarësinë e tij. Kushtetuesja i dha fund ambicieve të Kurtit për të kontrolluar jo veç qeverinë dhe kuvendin, por edhe një pjesë esenciale të gjyqësorit.
4. 1 gusht 2023 – shkarkimi i bordit të RTK-së nga Kuvendi, sepse nuk kishte bazë ligjore.
5. 3 gusht 2023 – Ligji për Zyrtarët Publikë, sepse politizonte administratën shtetërore.
6. 24 nëntor 2023 – Ligji për çmimet tavan për produktet bazë, sepse parashihte ndërhyrje të Qeverisë në tregun e lirë pa bazë ligjore.
7. 26 dhjetor 2023 – Ligji për Paga, sepse cenonte të drejtat themelore dhe ishte diskriminues.
8. 26 qershor 2024 – Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, sepse ishte instrument për përndjekjen e kundërshtarëve politikë.
9. 27 qershor 2024 – Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, sepse kishte për qëllim kapjen dhe nënshtrimin e administratës.
10. 23 prill 2025 – Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, sepse cenonte pavarësinë e këtij institucioni.
Pra, plot 12 shkelje.
Përveç kësaj, janë edhe 17 lëndë tjera në pritje për të marrë verdiktin nga Gjykata Kushtetuese.
Nëse këto katër vjet na kanë mësuar diçka është se, nëse jo krejt, shumë prej këtyre ligjeve do të rrëzohen nga kushtetuesja.
Deri më tash, Gjykata Kushtetuese ka qenë fortesë ku janë zmbrapsur sulmet e njëpasnjëshme të pushtetit mbi rendin kushtetues.
Por, nëse ka një Qeveri Kurti 3, pyetja është: edhe sa do të mund të rezistojë Gjykata Kushtetuese, para se ajo të thyhet nga trysnia e pushtetit?
Prandaj nuk mund thjesht të lutemi me shpresën se Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë pafundësisht të na mbrojë me parzmoren e saj.
Për të mbrojtur demokracinë duhet angazhim i gjerë shoqëror.
Pas përvojës së hidhur me nazizmin dhe fashizmin, Gjermania, Italia dhe Franca themeluan Gjykatat Kushtetuese për të mbajtur nën kontroll shumicën parlamentare, e cila, nëse ka pushtet të shfrenuar, shumë lehtë mund të çojë shoqërinë drejt vetëvrasjes kolektive.
Dhe krejt kjo në emër të popullit dhe demokracisë.
Nëse ne nuk jemi të kujdesshëm, atëherë Kosova shumë lehtë mund të rrëshqasë drejt një demokrature, një regjim ku demokracia është vetëm fasadë për një pushtet që ka sytë, mendjen, zemrën dhe këmbët drejt diktaturës.








