Bujar Osmani, kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim, e ka pranuar humbjen në Komunën e Çairit, derisa ia ka uruar Izet Mexhitit fitore.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se edhe pse fushata, sipas tij, “nuk ishte as e drejtë, as e ligjshme në çdo aspekt”, nuk do të ankohet, sepse beson që “ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në situata si kjo”.
“Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme”, theksoi ai.
Për hapat e ardhshëm të tij në politikë, Osmani potencoi se do të njoftojë ditëve në vijim.
Ndryshe, me 44.29 për qind të votave të numëruara, Izet Mexhiti i VLEN-it është duke prirë me 50.54 për qind, apo 6 mijë e 796 vota, kundrejt Osmanit të AKI-së, i cili ka 39.10 për qind, apo 6 mijë e 258 vota.









