Kryetari në largim i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se rezultati i Zgjedhjeve Lokale në komunën e tij, “nuk ishte i dëshiruari”. Megjithatë, sipas Hamzës, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, dëshmoi “integritet, kulturë e përkushtim”. Ai madje ia uroi edhe fitoren kandidatit të VV-së të zgjedhur për kryetar, Faton Pecit.

“Z. Peci ia uroj fitoren dhe i dëshiroj suksese në shërbim të Mitrovicës dhe të qytetarëve tanë”, shkroi Hamza në profilin e tij në Facebook.

Në raundin e dytë në balotazh, Faton Peci i Vetëvendosjes triumfoi në Mitrovicë me rreth 7 për qind më shumë se kundërkandidati Tahiri i PDK-së. Dallimi mes të dyve ishte 2 mijë e 315 vota.