Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ia ka uruar fitoren kundërkandidatit të tij, Faton Peci.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se rezultati i zgjedhjeve është shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe ky vullnet “do ta ketë gjithmonë respektin tim”.
“Urime kundërkandidatit tim për fitoren! I uroj suksese në punën e tij për Mitrovicën”, shkroi ai.
Tahiri i falënderoi të gjithë qytetarët për besimin dhe përkrahjen që ia kanë dhënë në garën për Kryetar të Mitrovicës. “Ishte një privilegj i madh të jem pjesë e një procesi demokratik që dëshmoi pjekurinë tonë politike dhe kulturën e lartë qytetare”, shtoi.
Ai theksoi se do të vazhdojë që të jetë në shërbim të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarëve të saj, “me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për qytetin tonë, si gjithmonë”.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të së dielës, Peci mori 53.47 për qind të votave apo 17 mijë e 837 vota, duke u zgjedhur kështu Kryetar i Mitrovicës.
Kundërkandidati i tij, Arian Tahiri grumbulloi 46.53 për qind apo 15 mijë e 522 vota.









