Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dronë ndaj një prej rezidencave të presidentit rus, Vladimir Putin, derisa ka akuzuar Moskën se po përpiqet të minojë bisedimet për paqe.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte kryer një sulm gjatë natës së së dielës, duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot (UAV) me rreze të gjatë veprimi, kundër rezidencës shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor rus të Novgorodit.

Rusia tha se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk është e qartë se ku ndodhej Putini në momentin e sulmit të pretenduar, shkruan BBC.

Zelensky e hodhi poshtë këtë pretendim si “gënjeshtra tipike ruse”, të destinuara për t’i dhënë Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës. Ai tha se Rusia më parë kishte shënjestruar ndërtesa qeveritare në Kiev dhe paralajmëroi se pretendimi i fundit mund të sinjalizojë sulme të tjera ndaj Ukrainës.

“Të gjithë duhet të jenë vigjilentë tani. Absolutisht të gjithë. Një sulm mund të lëshohet ndaj kryeqytetit”, u tha Zelensky gazetarëve të hënën, duke shtuar se komentet e Rusisë përbëjnë një “kërcënim”.

Ai tha se Rusia po “kërkon arsye” për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës dhe se çdo përparim drejt një armëpushimi e sheh si “dështim”.

“Është kritike që bota të mos heshtë tani. Nuk mund të lejojmë që Rusia të minojë përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme”, shkroi Zelensky në platformën X.

Në një deklaratë të shpërndarë në Telegram të hënën, Lavrov tha se të gjithë 91 dronët, që sipas tij u lëshuan drejt rezidencës së Putinit, u interceptuan dhe u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.

Ai shtoi se nuk kishte raportime për viktima apo dëme si pasojë e sulmit.

“Duke pasur parasysh degjenerimin përfundimtar të regjimit kriminal të Kievit, i cili ka kaluar në një politikë të terrorizmit shtetëror, pozicioni negociues i Rusisë do të rishikohet”, deklaroi ai.

Megjithatë, ai shtoi se Rusia nuk synon të tërhiqet nga procesi negociues me SHBA-në, raportoi agjencia ruse e lajmeve Tass.

Të martën, Kremlini tha se nuk do të ofrojë prova për sulmin e pretenduar, me një zëdhënës që u tha gazetarëve se Rusia tani do ta “ashpërsojë” qëndrimin e saj negociues.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës u bëri thirrje vendeve të tjera të përmbahen nga reagimi ndaj “pretendimeve të rreme” të Rusisë.

“Ka kaluar pothuajse një ditë dhe Rusia ende nuk ka ofruar asnjë provë të besueshme për akuzat e saj për ‘sulmin’ e supozuar të Ukrainës ndaj ‘rezidencës së Putinit’. Dhe nuk do ta bëjë. Sepse nuk ka. Një sulm i tillë nuk ka ndodhur”, tha Andrii Sybiha në një postim në X.

Pretendimi i Moskës vjen pas bisedimeve mes SHBA-së dhe Ukrainës në Florida të dielën, ku presidentët Trump dhe Zelensky diskutuan një plan për t’i dhënë fund luftës.

Pas takimit, Zelensky i tha Fox News të hënën se ekziston një “mundësi për ta përfunduar këtë luftë” në vitin 2026.

Por ai tha se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën pa mbështetjen e SHBA-së.

“Ndjenjat e mia për sanksionet dhe hapat ekonomikë të Presidentit Trump tregojnë se ai është gati për hapa shumë të fortë”, tha Zelensky. “Në këtë situatë, Shtetet e Bashkuara mund ta çojnë më shpejt situatën drejt paqes.”

Presidenti ukrainas i tha Fox News se nuk kishte asnjë tregues që Putini dëshironte paqe dhe se ai nuk i besonte Putinit. “Nuk i besoj Putinit dhe ai nuk dëshiron sukses për Ukrainën”, shtoi Zelensky.

Zelensky tha se SHBA-ja i kishte ofruar Ukrainës garanci sigurie për 15 vjet dhe Trump tha se një marrëveshje për këtë pikë ishte “rreth 95%” e përfunduar.

Udhëheqësi ukrainas i përshkroi çështjet territoriale dhe centralin bërthamor të Zaporizhjës, të pushtuar nga Rusia, si çështjet e fundit të pazgjidhura, ndërsa kishte pak shenja përparimi për të ardhmen e rajonit të kontestuar të Donbasit – të cilin Rusia synon ta marrë plotësisht.

Moska aktualisht kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe rreth 99% të rajonit fqinj të Luhanskut. Këto dy rajone njihen së bashku si Donbas.

Rusia ka refuzuar më parë pjesë kyçe të planit që po diskutohet. Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Presidenti Trump kishte “përfunduar një telefonatë pozitive” me Putinin, pas bisedimeve SHBA–Ukrainë.

Yuri Ushakov, këshilltar i Kremlinit për politikën e jashtme, u tha gazetarëve të hënën se gjatë telefonatës, Putini kishte theksuar se sulmi i pretenduar ndaj rezidencës së tij kishte ndodhur “pothuajse menjëherë pas asaj që SHBA-ja e kishte konsideruar si një raund të suksesshëm bisedimesh”.

“Presidenti amerikan u trondit nga ky informacion, ishte i zemëruar dhe tha se nuk mund të besonte veprime kaq të çmendura. U tha se kjo pa dyshim do të ndikojë në qasjen e SHBA-së ndaj punës me Zelenskyn”, theksoi Ushakov.

Gjatë një konference të mëvonshme për shtyp, Trump fillimisht u duk se tha se nuk dinte asgjë për incidentin e pretenduar, por më pas u tha gazetarëve se ishte informuar nga Putini dhe se ishte “shumë i zemëruar” për këtë.

I pyetur nëse SHBA-ja kishte parë ndonjë provë që mbështeste pretendimin e Rusisë, ai u përgjigj: “Do ta zbulojmë. Ju po thoni se ndoshta sulmi nuk ka ndodhur – edhe kjo është e mundur, mendoj. Por Presidenti Putin më tha këtë mëngjes se kishte ndodhur”.