Murat Jashari ka demantuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili ka thënë se mediat i kishin bërë “pritë” Jasharit gjatë deklarimeve për çështjen e presidentit.
Përmes një përgjigjeje dërguar në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Jashari ka thënë se nuk e konsideron si “pritë” trajtimin që kishte marrë nga mediat.
“Jo, qëndroj pas asaj që kam deklaruar. Të përshëndes dhe suksese për ju! Sinqerisht! Murati.”, ka shkruar Jashari.
Paraprakisht Panduri i kishte dërguar pyetje Murat Jasharit lidhur me pretendimin e Kurtit.
“A e keni konsideruar z.Jashari pritë atë çfarë në momentin kur jeni deklaruar për media për çështjen e presidentit?”
Deklarata e Jasharit vjen pasi Kurti, gjatë një interviste në KTV, deklaroi se mediat kishin vepruar padrejtësisht ndaj tij.
“Shumë keq e shumë fish më keq, më keq pra, se sa Glauk Konjufcës ja bënë pritën Murat Jasharit mediat. U thanë ato fjalë dhe ja ku jemi”, ka thënë Kurti.
Kjo deklaratë e mbrëmshme e Kurtit erdhi pasi Murat Jashari kishte folur ekskluzivisht për VOX Kosova, kur emri i tij u lakua nga Konjufca për President, e ai deklaroi se nuk kishte pretendime të tilla, dhe nuk duhet të keqpërdoret emri i familjes Jashari për pozita politike, duke ia mbyllur kështu derën VV-së që të propozojnë President nga familja Jashari.









