Jehona Lushaku, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mohuar raportimet për një takim siç u quajt ‘sekret’ mes tyre dhe Partisë Demokratike të Kosovës mbrëmë.
Sipas Lushakut, lajmi u prodhua nga “makineria propagandistike” e Vetëvendosjes, duke sqaruar se takimi ka qenë në mes kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, kandidatit të tyre për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, dhe ekipit të fushatës së LDK-së në kryeqytet.
“Makineria propagandistike e Vetëvendosjes është vënë në lëvizje për të krijuar konfuzion, panik e mjegull, pikërisht në kulmin e fushatës. Pas të gjitha dështimeve që s’mund t’i fshehin më, tani po shpikin “lajme sekrete” për t’i mbuluar me shpifje. Për disa lajme të fabrikuara mbrëmë, e vërteta ishte se, Lumiri dhe Përparimi dje kanë mbajtur Takimin përmbyllës të fushatës, e më pas një darkë me ekipin e Prishtinës, ku kemi qenë të gjithë bashkëpunëtorët që kemi punuar për qytetin”, ka thënë Lushaku.
Lushaku ka deklaruar po ashtu se vetëm fakti që është kohë fushate po i ndal nga ngritja e padisë për shpifje.
“Nëse s’do të ishte kohë fushate dhe s’do të ishim të zënë me punë më të mençura, për këto lajme të rreme do të pasonte një padi për shpifje. Në Prishtinë, qytetarët e dinë mirë kush ka punuar dhe kush ka vizion. Prandaj, NESËR do të flasin me votë për punën, jo për propagandën!”.









